Të presësh ditë e natë, ambulanca po kthehet në shtrat për pacientët me COVID

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2020, 14:13 | Aktualitet

Sapo ka kaluar ora 22:00 dhe në ambientet e oborrit të spitalit “Shefqet Ndroqi” ndodhen një numër i konsiderueshëm ambulancash. Edhe në orët e mbrëmjes pacientët duhet të qëndrojnë në pritje të lirimit të një shtrati. Edhe gjatë natës situata është po e njëjta me atë të orëve të ditës. Procedurat e shtrimit të pacientëve nuk është më aq e lehtë në këtë pikë të përhapjes së virusit. Familjarët presin në ankth dhe kërkojnë po ashtu një shtrat të lirë pranë spitalit Covid2. Ora policore për ta nuk llogaritet, për sa kohë qëndrojnë gjatë gjithë natës në ambientet e spitalit. Edhe te spitali Infektiv ka qytetarë që presin informacion, të dërgojnë ushqime dhe veshmbathje si dhe të shtrojnë familjarët e tyre. Radha në ambulancë është po ashtu e pranishme edhe këtu. Një qytetare e cila kërkon të mos identifikohet, tregon sesi profesioni i saj e mbajti në jetë të atin deri sa mbërriti në Spitalin Infektiv “Isha me fat që më mbaroi oksigjeni në Kavajë dhe e nisëm për Tiranë. E menaxhova vet se jam infermiere. Isha me fat që nuk kishte radhë se ndryshe nuk do ja dilja dot”, thotë ajo. Ndërkohë spitali COVID 3 gjatë orëve të mbrëmjes është mjaft i qetë. Në këtë ambient spitalor nuk dërgohen urgjencat, pasi ato referohen kryesisht te Spitali Infektiv. Autoritetet shëndetësore thonë se kapacitetet e shtrimit nuk janë ezauruar dhe se spitali COVID 4 do të hapet pas disa ditësh për të përmbushur çdo nevojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos