Gati 1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka organizuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, Prefekturat, Bashkitë si dhe Ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë një aktivitet - si një ditë ndryshe me një vizion të qartë për të mirën publike - në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë”.
Aktivitete të ndryshme u zhvilluan kryesisht në shkolla të mesme dhe 9-vjeçare, si dhe sheshe të hapura në rrethe të ndryshme, si në Tiranë, Durrës, Dibër, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan, Korçë, Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër, për të rritur ndërgjegjësimin te brezat e rinj ndaj zvogëlimit të rreziqeve nga fatkeqësitë, me një theks të veçantë te vullnetarizmi.
Shqipëria ka qenë së fundmi një rast unik në përballjen e fatkeqësive të ndryshme që e kanë goditur në të njëjtën kohë, si tërmetet e përsëritura, zjarret dhe pandemia COVID-19. Për këtë, qeveria ka ndërmarrë disa hapa ligjorë, ku janë investuar rreth 33 milionë euro për Emergjencat Civile, thonë autoritetet. (A2 Televizion)