Tensionet për Ukrainën, mbyllet pa sukses takimi Blinken-Lavrov

Nga A2 CNN
21 Janar 2022, 19:31 | Bota
Tensionet për Ukrainën, mbyllet pa sukses takimi Blinken-Lavrov

Çdo lëvizje e trupave rusë në drejtim të kufirit ukrainas do të konsiderohet pushtim dhe do të nxisë një reagim të ashpër e të bashkuar nga SHBA dhe aleatët.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken pas takimit prej 1 orë e gjysmë në Gjenevë, me homologun rus Sergey Lavrov, tregoi qartë se edhe këtë herë bisedimet dështuan të prodhonin rezultat.

“Diskutimet me zotin Lavrov ishin të sinqerta dhe me përmbajtje. Ia bëra të qartë se ka çështje dhe parime që SHBA dhe aleatët do të mbrojnë me vendosmëri, përfshirë të drejtën e popullit të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe të ardhmen e vet”, u shpreh sekretari amerikan.

Si Blinken ashtu edhe Lavrov konfirmuan se Shtetet e Bashkuaara ishin dakordësuar për t’i dërguar përgjigjie me shkrim të gjitha kërkesave të Rusisë lidhur me sigurinë.

Edhe ministri i Jashtëm rus i cilësoi bisedimet si tësinqerta dhe të dobishme.

“Folëm hapur sot me Anthony Blinken dhe ai u dakordësua që dialogu duhet të jetë më i arsyeshëm. Shpresoj që emocionet do të ulen, por nuk ka garanci”, deklaroi Lavrov.

Moska ka pozicionuar rreth 100 mijë trupa pranë kufijve me Ukrainën, por mohon pretendimet se po planifikon të pushtojë vendin.

Presidenti Putin i kërkon garanci Perëndimit se nuk do të anëtarësojë Ukrainën në NATO dhe se do të heqë dorë nga aktiviteti ushtarak në Europën Lindore. Kërkesat janë refuzuar kategorikisht nga SHBA dhe aleatët (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos