
Raporti i Bankës Botërore e sheh 2020 si një vit recesioni, për Shqipërinë tkurrjen e prodhimit të brendshëm bruto. Eksperti i financave dhe buxhetit Sherefedin Shehu, analizon për A2 masat e mundshme për të lehtësuar një situatë që parashikohet e zymtë.
Sipas tij, shpëtimi i vetëm do të ishte “një paketë ekonomike e studiuar dhe e konsultuar. Recensioni nuk mund të shmanget, nga momenti që jemi ekonomi e integruar, por mbështetja e zhvillimit të bizneseve mund të zbuste efektet e kësaj pandemie”.
Sipas Shehut, momenti i pasigurisë është i përgjithshëm, po nënvizon se “edhe pa tërmetin dhe pandeminë, do të kishte rënie të rritjes ekonomike, për shkak të mungesës të reformave strukturore. Shqipëria është në një periudhë që duhet të rishikojë të ardhmen e vet, sidomos për klimën e investimeve”.
Për ekspertin e financave dhe ish-deputetin demokrat, deri tani qeveria nuk po merr asnjë vendim që shkon në drejtim të udhëzimeve te Bankës Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.
Kjo vlen, sipas tij, edhe për një nga sektorët më të goditur, turizmin. “Duhet një mbështetje financiare për të vënë në punë kapacitetet që ekzistojnë dhe mund të kërkohen nga turistët, në një sezon që nuk mund të jetë normal dhe me kapacitete të plota. Duhet të kemi mbështetje direkte për industrinë e turizmit, dhe indirekte përmes sistemit të kreditimit”, gjykon Shehu.
Programi qeveritar i “garancive sovrane”, për të “në fakt nuk është garanci sepse nuk ka kriteret se kush janë përfituesit dhe as nuk ka asnjë masë lehtësuese ku mund të përfitojnë bizneset, që janë tepër të ngarkuara me kreditë ekzistuese për të marrë përsipër kredi të reja”, dhe shton se masa mbështetëse duhet të aplikohen edhe ndaj sektorëve si atij fason, “që nuk përballon dot kostot shtesë, të lidhura me masat lehtësuese”, duke rrezikuar të paktën 6 mijë vende pune. (A2 Televizion)