"Rama i hedh 1 kockë veriut dhe 2 kocka jugut", Teliti: Aksioni në Theth pas dështimit me turizmin

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 22:29 | Aktualitet

Në debatin mbi aksionin e IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit, në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, zyrtari i Partisë Demokratike Dorian Teliti konstatoi se ka një ndarje diskriminuese të fondeve nga qeveria Rama për veriun dhe jugun e vendit.

“Ka pasur një diskriminim. Tirana është e privilegjuar. Kriminel, ndërtuesa në Tiranë. Njerëz që merreshin me drogë më përpara janë bërë ndërtuesa sot. S’ja them dot emrat se nesër shkojnë në gjykatë për shpifje ata, por e di gjithë Shqipëria që kanë shitur drogë. E di gjithë Shqipëria që janë horra. E dimë shumë mirë që kanë marrë leje ndërtimi për 10 kate dhe kanë bërë 20 lkate. Me ata ulet në tryezë me kollare, iu dha dhe një gotë verë përpara. U tha diskutojmë ça halli keni. Kurse këtyre gjynahqarëve të Veriut, me të cilët është krenuar dhe jemi krenuar të gjithë neve me turizmin. Po nëse kemi pasur gjithë këto vite turizmin dhe që ishte zhvilluar gjatë këtyre viteve përtej kritikave që kemi ne, sesi po menaxhohet. I ka hedh dy kocka Jugut dhe 1 kockë Veriut. Kjo është, kocka i hedh. Por i ka hedh pak kocka më shumë Jugut. Këto janë shifra zyrtare more zotëri. Se tunelin nuk e vodhëm ne 50 milionë euro. Neve sot duhet të jemi krenar që ta promovojmë turizmin dhe emblematika e promovimit të turizmit ka qenë pikërisht Thethi dhe ti shkon e godet mu në zemër. Mos ndoshta ti e di që ky është një sezon që nuk po shkon si duhet dhe hajde të gjej një justifikim duke goditur Thethin”, tha Teliti në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

I pyetur nëse ka bërë më shumë Partia Demokratike gjatë 8 viteve të qeverisjes nga 2005 në 2013 për veriun, Teliti tha: “Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike nuk lëvizte më shumë se 5% investimi ndërmjet bashkive që ishin të ngjashme me njëra-tjetrën. Për bashkitë e ngjashme ka pasur atëherë një urdhër që ka qenë i zbatuar, ku nuk shihej nëse menaxhoheshin majtas apo djathtas. Nuk kalonte më shumë se 5% diferenca e investimeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos