
Aktiviteti i transportit publik, prej 3 muajsh i ndaluar, është sektori i goditur më rëndë nga pandemia. Kur në të gjitha vendet e tjera të rajonit, autobusët urbanë dhe ndërqytetës kanë rinisur punën, në Shqipëri, bizneset përballen me kostot e amortizimit të mjeteve dhe humbje të tjera financiare.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Rixhin Qoshja, llogarit dëmet për linjat e urbanëve.
“Transporti i qytetit dhe të gjithë operatorët në rang kombëtar, gjenerojnë në muaj një humbje prej rreth 3 milionë euro që janë shpenzime të planifikuara që edhe pse ne jemi mbyllur ato vazhdojnë dhe gjenerohen çdo ditë. Punonjësit janë pezulluar nga puna dhe një pjesë e tyre me shumë të drejtë janë sistemuar diku tjetër pasi ne jemi të paaftë t’iu ofrojmë diçka në këto kohë”, tha Qoshja.
Protokolli i masave higjieno-sanitare pritet të kushtëzojë autobusët të punojnë me vetëm 30% të kapacitetit, pra 20-40 pasagjerë. Për këto arsye, kompanitë kërkojnë mbështetje nga autoritetet, në formën e subvencioneve të biletave apo heqjes së akcizës së karburantit, që zë një pjesë të madhe të kostos së operimit.
Një tjetër problem, që mund të kishte lehtësuar rinisjen e punës për urbanët, është mungesa e sistemeve të faturimit elektronik të biletave. Në të gjithë vendin, në këtë sektor llogariten rreth 10 mijë persona të punësuar, të ardhurat e vetme të të cilëve në këto muaj kanë qenë vetëm pagat e luftës. (A2 Televizion)