Tregu pa orientim, investimi drejt bizneseve të ngjashme

Nga A2 CNN
3 Tetor 2019, 16:28 | Ekonomi
Tregu pa orientim, investimi drejt bizneseve të ngjashme

Shqiptarët i qëndrojnë besnikë formave tradicionale të investimit. Kafenetë dhe marketet janë bizneset kryesore ku ata investojnë kursimet e tyre, një paradoks ky, në një kohë kur të dhënat tregojnë për një tkurrje të ndjeshme të konsumit. 

Farmacitë nga ana tjetër shihen si një biznes mjaft fitimprurës dhe që dominojnë pjesën dërrmuese të kryeqytetit. Por, së fundmi qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë po orientohen drejt formave inovatore të të bërit biznes, tregtisë online. 

Mungesa e edukimit financiar shihet dhe si pengesa kryesore për përfshirjen e qytetarëve në tregun financiar. Të dhënat e një studimi të Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare tregojnë se 55% e qytetarëve nuk kanë njohuri mbi fondet e investimit. 

Depozitat, interesat po rrëshqasin drejt negatives

Të mbyllësh kursimet në banka është një tjetër formë investimi, po aq tradicionale sa të hapësh një biznes. Por sa fitohet prej tyre? Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesat e depozitave kanë rënë ndjeshëm, duke zbritur në tetor në një mesatare prej 0.73% për depozitat me afat 1 muaj deri në 5 vjet. Nëse kësaj norme interesi i zbresim inflacionin, atëherë nuk fitohet asgjë, përkundrazi, qytetarët duhet të paguajnë për të mbajtur paratë në banka.

Forma tjetër e investimit janë letrat me vlerë të qeverisë, ku përfshihen bonot e thesarit dhe obligacionet. Interesat e tyre variojnë për bonot me afat 1-vjeçar në 2.18%; për ato me afat maturimi 2-vjeçar në 2.59%; për obligacionet 5-vjeçare interesat rriten në 3.75% dhe për ato me afat 7-vjeçar interesat arrijnë në 4.19%.

Kjo formë investimi konsiderohet më e sigurta, për shkak se bëhet fjalë për një borxh që qeveria ua merr qytetarëve të saj. 

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos