Qyteti i Tuzit në Mal të Zi ka sfiduar kufizimet e vendosura nga qeveria për të luftuar pandeminë koronavirus. Baret, restorantet dhe bizneset e tjera u hapën sërish gjatë së enjtes, gjë e cila nxiti një reagim të ashpër.
Qeveria dërgoi forca të shumta policie në qytetin me shumicë shqiptare, për të vënë në zbatim kufizimet e reja. Por kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, bashkë me një numër të madh banorësh protestuan duke bllokuar rrugën kryesore që lidh Podgoricën me Shkodrën.
“Tuzi është zonë e gjelbër sa i përket infektimeve. Këtë e ka përcaktuar Instituti i Shëndetit Publik”, tha Gjeloshaj duke i kërkuar një takim kryeministrit, Zdravko Krivokapiç dhe zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviç. Ai kërkoi që popullata të mos diskriminohet dhe nënvizoi se asgjë nuk do të imponohet me forcë. (A2 Televizion)