
Operacion masiv në Pentagon për të gjetur tradhtarin. Funksionarët e mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të zbulojnë burimin nga ku dolën informacionet “top secret”, dokumentet e klasifikuara të publikuara nga Rusia, që nxorën detaje kryesore për dosje të ndryshme, nga mbrojtja ajrore ukrainase dhe kundërofensiva e ardhës deri të roli i supozuar i Mosadit në manifestimet antiqeveritare në Izrael.
Sipas disa ekspertëve, burimi i rrjedhjes së sekreteve të Pentagonit mund të jetë një spiun amerikan brenda departamentit të mbrojtjes dhe jo një zyrtar i ndonjë vendi aleat.
Publikimi i dokumenteve nga Rusia, detyroi Ukrainën të modifikonte planet e saj ushtarake. Kështu raporton media prestigjoze CNN, duke cituar një burim pranë presidentit Volodymyr Zelensky.
Në artikull, shkruhet se Pentagoni ka marrë masa për të kufizuar rrjedhjen e dokumenteve të tjera që mbajnë vulën “top secret”.
Sakaq New York Times raporton për probleme brenda ushtrisë ukrainase, duke vlerësuar se nëse nuk ka furnizime të reja nga perëndimi, sistemet e mbrojtjes do të mbeten pa municione brenda majit. Rusia ka intesifikuar sulmet, me forcat e Kievit që kanë ndaluar 58 bombardime në 24 orët e fundit.
“Çdo festë e krishterë na mëson se ne duhet të sigurohemi që djalli të humbasë. Edhe pse nuk e dimë se si, ne duhet të besojmë dhe ne besojmë se do ta mposhtim,” deklaroi Zelensky.
Në terren, ushtria ruse po raporton humbje të mëdha në njerëz, aq sa po detyrohet të vjedhë gurët nga varret ukrainase, duke I fshirë emrat, dhe t’i përdorë për të rënët e saj. Kështu raportojnë mediat e Kievit duke cituar burime nga administrata ushtarake e rajonit Luhansk. (A2 Televizion)