
Në një shtet në luftë si Ukraina, rritja e çmimeve të një sërë produktesh bazë do të ishte e kuptueshme, edhe pse çdo biznes ukrainas është munduar të ruajë të njëjtin standard.
Disa prej tyre, madje, kanë menduar për qytetarët.
“Ne nuk i kemi rritur çmimet. Ne kemi bërë të kundërtën, madje kemi siguruar disa dhurime, para dhe ushqime për ushtarët tanë. Ne të gjithë po përpiqemi të ndihmojmë ushtrinë tonë, pasi ne duhet të fitojmë. Ne duam t’i tregojmë botës tragjedinë që po ndodh dhe duam që rusët të ikin nga vendi ynë”, thotë një shitëse.
Edhe pse pjesa më e madhe e bizneseve janë munduar të punojnë jo si në kohë lufte, furnitorët kërkojnë më shumë para.
“Çmimet po rriten, pasi furnizuesit kërkojnë më shumë para, prandaj na duhet të rrisim çmimet. Ka gati 20% rritje, jemi të detyruar t’i rrisim”, thotë një tjetër.
Për një investitor turk në Ukrainë, situata është e ndryshueshme nga momenti në moment, për shkak se ka dhe persona të cilët përfitojnë nga lufta: “Ne do të shesim njëherë rezervat dhe pastaj do të shohim se ç’do të bëjmë. Unë mendoj se çmimet do të rriten”.
Çmimi i bukës në Ukraine, ndryshe nga produktet e tjera të cilat variojnë, nuk është ngritur.
“Është rritur vetëm pak, por është e përballueshme. Mendoj se çmimi do të ndryshojë vetëm pak. Mendoj se do të qëndrojnë në të njëjtin nivel”, thotë një shitës.
Edhe produktet e mishit nuk janë rritur, por pasiguria nga lufta ka sjellë diçka tjetër. Një qytetar shprehet: “Çmimet janë të njëjta për mishin, por blegtorët po i therin të gjitha bagëtitë që kanë. Ata nuk janë të sigurt për të ardhmen, ndaj po i therin për mish”.
Edhe çmimi i karburanteve në Ukrainë nuk ka pësuar rritje të madhe, ndërsa një litër naftë kushton 1,24 euro ose 150 lekë. Gazi natyror nga ana tjetër, 1 euro, ose 120 lekë për litër.
Edhe pse qeveria e Ukrainës u ka kërkuar bizneseve mosrritje të çmimeve, një pjesë e madhe e tyre po ndihmojnë në mjaft raste edhe duke i ulur nën kosto.
(A2 Televizion)