
Shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve do të jetë kalimtar, dhe stabilizimi i çmimeve do të ndodhë brenda vitit të ardhshëm. Është ky parashikimi që Banka e Shqipërisë bën teksa vlerëson se vala e rritjes së çmimeve do të ndikojë në normën e inflacionit në vend.
Teksa njoftoi mbajtje të pandryshuar të politikës monetare me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko tregoi edhe mekanizmat që do vihen në zbatim nëse situata përkeqësohet.
Banka e Shqipërisë parashikon që rritja ekonomike të ruajë nivel të lartë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Projeksionet e saj janë për një rritje ekonomike vjetore mes nivelit 7 dhe 8 për qind, afërsisht në linjë me parashikimet e përditësuara të mërkurën edhe nga Banka Botërore. (A2 Televizion)