
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, deklaroi një intervistë për Zërin e Amerikës se kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për zotin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë.
E pyetur në lidhje me pretendimet e Berishës se ky vendim është marrë nën ndikimin e George Soros, Kim tha: “Do të thosha që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë”.
Kim shpjegon se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. “Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”, tha ajo.
Duke folur për Qeverinë e re, ambasadorja amerikane thotë se stili “si zakonisht,” pra një ecuri në nivel mesatar nuk mjafton dhe se ajo ka “barrën” që të dëshmojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin në vend. “Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht,” pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet për reformën në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse flitet për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten fort këtu në Shqipëri në një mënyrë që është shumë më normale”, tha ambasadorja. (A2 Televizion)