
Në vigjilje të nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e vetëdijshme për paqartësitë që po krijon situata me Covid-19, thotë se ky vit i ri akademik do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë.
“Kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin. Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit”, tha Kushi.
Sipas saj, çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur.
Këtë gjë e ka përforcuar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, i cili informoi se për shkak të koronavirusit mësimi të zhvillohet “online” deri në një urdhër të dytë.
Mijëra studentë, mes tyre shumë të rinj që do të provonin të hënën ndjesinë e të ulurit në auditore për herë të parë, do të duhet t’i bashkohen platformave “online” sipas udhëzimeve të marra nga universitetet. (A2 Televizion)