
Pyetjes së famshme nëse ishin listat realisht të hapura, i dhanë përgjigje me votë Fatmir Xhafaj, Ornaldo Rakipi dhe demokrati Luçiano Boçi. Falë preferencave të mbledhura, të tre kandidatët arritën të kapërcenin herësin për të kaluar pragun e parlamentit të shtatorit të ardhshëm.
Vota preferenciale e qytetarëve shqiptarë arriti të thyejë listën e kryetarëve të partive duke dëshmuar se listat e hapura, ndonëse me herës, arritën të funksiononin.
Beteja për thyerjen e herësit u zhvillua në të gjitha qarqet, sidomos nga kandidatët që ishin në prag të vijës së kuqe. Ndërsa për disa nga socialistët e hershëm, ishte e vetmja shpresë që të kapnin Parlamentin.
Emri i përveçëm që sfidoi kryetarin e partisë në pushtet ishte Fatmir Xhafaj. Ndonëse u pozicionua në vendin e 23-të, ai arriti të siguronte karrigen në parlament që në gjysmën e kutive të votimit. Njeriu simbol i Reformës në Drejtësi, u tregua shumë i kujdesshëm të falënderonte për rezultatin.
“Kjo është fjala ime e parë në këto momente. Socialistëve që më dhanë kurajo dhe forcë ta çoj deri në fund këtë betejë! Të gjithë votuesve të qarkut që më vlerësuan për çfarë kam bërë në politikë, për çfarë unë jam dhe për çfarë ata besojnë se mund të vazhdoj të bëj. Ekipit të jashtëzakonshëm që punoi intensivisht me mua gjatë këtyre muajve me shpresën e madhe se do ia dilnim. Dhe ia dolëm të bënim një fushatë tejet modeste në shpenzime, por të pasur në besim, në kurajë dhe në energji” , ishin fjalët e tij.
Nëse kontributet e Fatmir Xhafës në qeverisjet e majta janë të njohura, një tjetër koleg partie, i sapobashkuar me socialistët, arriti një sukses të ngjashëm me të. Ornaldo Rakipi jo vetëm theu herësin dhe siguroi një vend në Parlament, por rezulton mes më të votuarve të Qarkut të Tiranës. Një emër deri dje anonim, 27-vjeçar, i njohur vetëm si djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, që u përjashtua nga Parlamenti për shkak të dekriminalizimit.
Nga radhët e demokratëve, listën e kryetarit e theu Luçiano Boçi në Elbasan. I pozicionuar në vend të 7, pedagogu i njohur mori numrin e votave të nevojshme për të kapërcyer pragun e Parlamentit me një rezultat ndjeshëm më të mirë sesa drejtuesi i fushatës në këtë qark.
“Është një kalim sfide. Për sa i përket rezultatit, e prisja, pas një investimi shumëvjeçar. Kam deklaruar edhe në momente të tjera që sfidën e kam me vetveten dhe do të korr ato çka kam mbjell këto vite në politikë”.
Pavarësisht historive të suksesit, kishte edhe nga ato që dështuan. Disa deputet në të dyja kampet morën më shumë vota se sa ata që ishin në listën e sigurt, por jo mjaftueshme sa për të thyer pragun e partisë. (A2 Televizion)