Mijëra protestues u përleshën me Policinë ndërsa përpiqeshin të futeshin brenda godinës së Parlamentit serb, pasi Presidenti Aleksandar Vučić njoftoi se në fundjavë do të rikthehej izolimi në vend pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus dhe viktimave.
Policia përdori disa herë gaz lotsjellës ndërsa protestuesit bërtisnin “Dorëheqje, dorëheqje” para godinës së Kuvendit në Beograd. Disa prej tyre arritën të futeshin me forcë brenda për pak çaste, por u zmbrapsën nga policët. Protestuesit ndezën flakadanë dhe hodhën gurë, shishe dhe vezë ndaj policëve. Mes palëve pati edhe përleshje të vogla, sidomos me pjesëtarët e grupeve ekstremiste nacionaliste.
Protesta dhe përleshje me Policinë pati edhe para godinës së televizionit shtetëror, që akuzohet nga opozita se mbështet qeverinë. Aty, iu vu flaka disa makinave të Policisë.
Të martën, Ministria e Shëndetësisë në Serbi raportoi për 13 viktima dhe 299 raste të reja me Covid-19, duke e çuar në 330 numrin e viktimave nga koronavirusi dhe 16719 numrin e rasteve në total. Sipas njoftimit të Vučić, izolimi do të nisë të premten në orën 18:00, deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit. (A2 Televizion)