Zelensky: Putin nuk po bën blofin për armët bërthamore

Nga A2 CNN
26 Shtator 2022, 13:14 | Bota
Zelensky: Putin nuk po bën blofin për armët bërthamore

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në rajonin rus të Dagestanit, kundër mobilizimit të pjesshëm në luftën në Ukrainë, i njoftuar nga presidenti Vladimir Putin.

Videot e postuara në rrjetet sociale tregojnë manifestuesit teksa përleshen me policinë dhe funksionarë të tjerë të lartë të sigurisë në kryeqytetin rajonal Makhachkala. Observatori i pavarur rus për të drejtat e njeriut bëri të ditur se efektivët kishin përdorur pistoleta trullosëse dhe shkopinj kundër turmës.

Mbi 100 persona u vunë në pranga në Dagestan, ndërsa rreth 2000 njerëz janë arrestuar në total rreth Rusisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha: “Po shohim që njerëzit, veçanërisht në Dagestan, kanë filluar të luftojnë për jetët e tyre. Ata po fillojnë ta kuptojnë se është çështje jete. Pse duhet burrat e tyre, vëllezërit apo djemtë të vdesin në këtë luftë, në një luftë që askush nuk e do? Luftoni në mënyrë që fëmijët tuaj të mos dërgohen drejt vdekjes”.

Sakaq, një shtetas rus qëlloi me armë zjarri komandantin lokal, duke e plagosur rëndë, në një qendër rekrutimi në qytetin siberian, pasi i tha se refuzonte rekrutimin për luftën në Ukrainë. Ndërsa po mobilizon forcat rezervë, Putin po bëhet gati të aneksojë 15% të territorit ukrainas, ndërsa referendumet për bashkimin me Rusinë po zhvillohen në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia.

Kremlini paralajmëroi se pas referendumit, çdo sulm kundër këtyre rajoneve do të konsiderohej sulm kundër Rusisë, me Putin që kërcënoi Perëndimin të përdorë arsenalin bërthamor. Për Zelenskyn, kërcënimet e Presidentit rus mund të mos jenë më një blof: “Ndoshta, më parë mund të flitej për blof. Por, tani mund të jenë të vërteta. Duhet të vazhdojmë t’i bëjmë presion për të mos i lejuar shantazhimin bërthamor. Bota nuk mund të ketë stabilitet derisa Putin të jetë në pushtet”.

Në një deklaratë për televizionin CBS, Sekretari Amerikan i Shtetit tha se ia kishte bërë të qartë si publikisht ashtu edhe privatisht Presidentit Putin të hiqte dorë nga kërcënimet bërthamore. Një hap i tillë, sipas Shteteve të Bashkuara do të kishte pasoja katastrofike për Moskën.

Gjatë një takimi me aleatin bjellorus, Aleksander Lukashenko, Putin theksoi se Perëndimi duhej të respektonte Rusinë. Megjithatë, gjatë bisedimeve të zhvilluara më herët me Erdoganin, numri një i Kremlinit pranoi se mund të rikthehej në tryezën e negociatave me Ukrainën.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos