Italianët zgjedhin këtë të diel kryeministrin e ri të vendit, pas dorëheqjes së Mario Draghit më 21 korrik, pasi nuk siguroi mbështetjen nga Lëvizja 5 yjet, pjesë e koalicionit qeverisës apo siç njihej ndryshe, qeveria e unitetit kombëtar. Të menjëhershme ishin reagimet, me ekspertët ndërkombëtarë që e panë largimin e “super-marios” si një fitore për Vladimir Putinin, që kish arritur të përcillte në Europë, pasigurinë nga lufta ushtarake në Ukrainë. Por vetë italianët, të lodhur nga krizat e vazhdueshme politike në vend, kanë ende pritshmëri, këtë herë nga qeveria e re, së pari për ekonominë e tyre. Për shumë kohë u diskutua fakti që një krizë serioze në Itali, do të rrezikonte vetë Bashkimin Europian, pasi unioni është nën presion të vazhdueshëm prej luftës në ukrainë, mungesave me energjinë dhe inflacionin. Sot, është dita e fundit e fushatës elektorale, me partitë dhe koalicionet në garë, që i shfrytëzuan ditët për të bërë premtimet e tyre. Dhe premtimet kanë qenë të shumta. Duket se favoritja është 45-vjeçarja Giorgia Meloni, liderja e “Fratelli D’Italia”. Gjithsesi një panoramë më të qartë nga Italia e dha në Ditarin e mesditës në A2 CNN gazetari Gjergji Kajana, i cili foli nga Italia. (A2 Televizion)
Zgjedhjet parlamentare në Itali, çfarë pritet të ndodhë pas së dielës
