
Tashmë është zyrtare, Cristiano Ronaldo nuk është më lojtar i Manchester United dhe në janar do të transferohet në një tjetër ekip.
Vendimi ka ardhur pas deklaratave të sulmuesit 37-vjeçar portugez para nisjes së botërorit kur kritikoi klubin dhe tha se nuk e respektonte më trajnerin Erik ten Hag.
BBC shkruan se të dyja palët kanë rënë dakord që kontrata të mbyllet me kompromis. “Cristiano Ronaldo do të largohet nga Manchester United në mënyrë të menjëhershme, pasi palët kanë rënë dakord për këtë vendim. Klubi e falënderon atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dy periudha në Old Trafford, duke shënuar 145 gola në 346 paraqitje dhe i uron atij dhe familjes së tij vetëm të mira në të ardhmen. Të gjithë në Manchester United mbeten të përqendruar në vazhdimin e përparimit të ekipit nën drejtimin e Erik ten Hag dhe të punojnë së bashku për sa më shumë suksese në fushë.”-shkruan klubi i United. (A2 Televizion)