
Një bombë elektorale e ka konsideruar kandidati demokrat për zgjedhjet e 25 prillit , Oerd Bylykbashi vendimin e arbitrazhit në favor të kompanisë së Beccheti-t, ku qeveria shqiptare është e detyruar t’i paguajë 110 milionë euro. Sipas tij Rama do të duhet të ishte mbyllur dhe të mos bënte më fushatë pas këtij vendimi që do të rëndojë xhepat e shqiptarëve.
“Për këdo kryeministër në ikje ky do të ishte plumbi i artë që të mos ngrihet më kurrë. Dhe sot guxon e bën fushatë, ndërkohë që duhet të ishte mbyllur ai kërkon të rrjepë shqiptarët dhe 4 vite të tjerë. Vendimi që është marrë nga arbitrazhi është bombë e madhe elektorale, shqiptarëve nuk u kanë mjaftuar gjithë këto taksa të bëra tym në afera korruptive të Ramës”.
Bylykbashi thekson se 110 milionë eurot do të duhet të paguhen nga buxheti i shtetit dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë Shqipërisë i sekuestrohen asete publike në favor të Becchetit-t.
"Sjellja e qeverisë nuk është vetëm e paligjshme, por më shumë se shkelja e një të drejte personit i është kërkuar që të bëjë pazar të ulet dhe të ulë kokën te konkurrenca e tij. Sfondi është politik, korruptiv që cenoi në prishjen e një medie. Niveli i arrogancës në përdorimin e pushtetit dhe shembulli i shkeljes së të drejtës në mënyrë brutale, por përdorimi i pushtetit në mënyrë abuzive në të cilin Rama thotë se duhet të vazhdojë edhe 4 vjet. Nëse nuk paguhet nga buxheti i shtetit u merren asete publike shqiptarëve nëpërmjet konfiskimit në favor të Beccheti-t”. (A2 Televizion)