12 vende europiane thyen rekordet e temperaturave në 2022

Nga A2 CNN
10 Janar 2023, 15:13 | Bota

Dymbëdhjetë vende evropiane thyen rekordet mujore të temperaturave në vitin 2022, ndërsa kontinenti i vjetër regjistroi verën më të nxehtë në histori.

Nga 27 vende evropiane të analizuara nga The Guardian, 12 prej tyre regjistruan anomalinë më të lartë të temperaturave në histori për të paktën një muaj në vitin 2022.

Në secilin rast, anomalitë ishin më shumë se 1.9°C mbi temperaturën mesatare të regjistruar mes viteve 1991 dhe 2020 për të paktën një muaj.

Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike Copernicus (C3S) publikoi ​​të dhëna të reja të martën të cilat tregojnë se Evropa regjistroi vitin e dytë më të ngrohtë qëkur kanë nisur të bëhen regjistrime si dhe verën më të nxehtë në histori.

Rritjet më të larta të temperaturave janë regjistruar në fund të verës, tetor dhe dhjetor. Në Austri, mesatarja gjatë tetorit 2022 ishte 3.3°C më e lartë se temperatura mesatare e këtij muaji e regjistruar midis vitit 1991 dhe 2020.

Franca dhe Sllovenia gjithashtu regjistruan anomali të temperaturave prej 3°C ose më shumë atë muaj. Kroacia dhe Greqia regjistruan të dyja 3°C në dhjetor.

Italia pati temperatura jonormale gjatë tre muajve të ndryshëm: në maj, tetor dhe dhjetor. Kurse, Spanja dhe Portugalia thyen rekordet për anomali mujore në tre raste të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos