








Tentativa për pushtimin e institucioneve shkoi keq, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për reagimin e autoriteteve në Brazil.
Forcat e sigurisë arrestuan më shumë se 1500 persona pasi mbështetësit e ish-presidentit të së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, sulmuan ndërtesat qeveritare në kryeqendrën Brasilia.
Mijëra demonstrues mësynë ndërtesën e Kongresit, pallatin presidencial dhe Gjykatën e Lartë të dielën, me skena të ngjashme trazirash me ato të 6 janarit në Kongresin Amerikan.
Përveç dëmeve materiale, më shumë se 40 persona mbetën të lënduar nga skenat e kaosit, me 6 prej tyre në gjendje të rëndë.
Një gjykatës i Gjykatës së Lartë urdhëroi që kampet jashtë selisë së ushtrisë në kryeqytet dhe në vende të tjera të çmontohen.
Bolsonaro humbi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, në tetor, pasi mbolli pretendime të pabazuara në lidhje me sistemet e votimit.
Shumë nga mbështetësit e tij kanë refuzuar të pranojnë rezultatin dhe bëjnë thirrje për një kryengritje ushtarake.
Të hënën ai publikoi në Twitter një foto të tijën nga një shtrat spitali në Orlando, Florida. Ai bëri të ditur se po merrte trajtim shëndetësor për një plagë të vjetër thike që nga viti 2018.
Bolsonaro ka mohuar se ka inkurajuar sulmin e së dielës, duke thënë se ajo që ndodhi kishte shkuar përtej protestës demokratike. Udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, i kanë dënuar trazirat si një sulm ndaj demokracisë. (A2 Televizion)