Rusia vazhdon makabritetet në Ukrainë. Ushtria e Vladimir Putin shënjestroi një treg në një qytet në rajonin e Donjeckut duke vrarë 16 civilë, mes tyre edhe një fëmijë. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Volodymyr Zelensky, duke shtuar se nga bombardimi rus me raketë të fuqishme S-300 mbetën të plagosur dhe 20 persona të tjerë, përveç dëmeve të shumta materiale.
“Kur dikush në botë ende përpiqet të merret me diçka Ruse, do të thotë se po bëjnë një sy qorr ndaj këtij realiteti, të keqes dhe poshtërsisë. Kjo është çnjerzore. Ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët që humbën të dashurit e tyre! Ky djalli rus duhet të mposhtet sa më parë që të jetë e mundur”, deklaroi Zelensky.
Më herët, ushtria e Rusisë bombardoi zona të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kievin, por duke shënjestruar edhe magazina ushqimore në rajonin jugor të Odesës. Raketa dhe dronë goditën portin Izmail në Danub, mes dyshimeve se mund të jetë cenuar dhe hapësira ajrore dhe tokësore e një vendi anëtar të NATO-s, fqinj me Ukrainën. Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar, konfirmoi se disa pjesë të një droni rus kishin rënë në territorin e shtetit të tij, ashtu siç pohoi disa ditë më parë Kievi zyrtar. Të hënën, qeveria e Bukureshtit mohoi kategorikisht pretendimin.
“Konfirmojmë se kemi gjetur pjesë që mund të jenë element të një droni”, deklaroi ministri për mediat vendase. (A2 Televizion)
