Sulmi në Kongresin amerikan, lideri i “Djemve krenarë” dënohet me 22 vite burg

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 09:39 | Bota
Sulmi në Kongresin amerikan, lideri i “Djemve krenarë”

Enrique Tarrio, ish-lideri i grupit të ekstremit të djathtë, “Proud Boys” u dënua me 22 vite burg nga një gjykatë për rolin e tij në sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021, pas zgjedhjeve presidenciale, kur Trump humbi garën përballë Joe Biden.

Bëhet fjalë për një nga dënimet më të rënda të dhëna deri më tani për organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë protestë të dhunshme.

“Atë ditë u sulmua demokracia amerikane dhe Enrique Tarrio ishte lideri absolut i atij sulmi”, ky ishte një ndër arsyetimet që çoi gjyqtarin Timothy Kelly të shqiptonte, këtë dënim të rëndë.

39-vjeçari nga Miami u zbulua se nuk kishte qenë i pranishëm në revoltën e 6 janarit, por për prokurorinë, ai ishte truri i një prej ditëve më të zeza për Shtetet e Bashkuara.

Përpara dhënies së vendimit, Tarrio kërkoi mëshirë nga trupi gjykues, i cili nuk e mori parasysh aspak kërkesën e tij.

“Keqardhja ime më e madhe është dëmi i shkaktuar ndaj të tjerëve. Më vjen turp dhe do të duhet të jetoj me këtë turp për pjesën e mbetur të jetës sime. Unë nuk jam fanatik. Ndryshimi i rezultatit të votimit nuk ishin qëllimet e mia”, shtoi lideri ekstremist pothuajse në lot.

Për hetimin e sulmit në Kapitol reagoi dhe vetë ish-presidenti Donald Trump, i cili lëshoi akuza të ashpra ndaj prokurorit Jack Smith që sipas tij është duke shkatërruar provat.

“I çmenduri Jack Smith fshiu dhe shkatërroi dokumente, imazhe, kaseta shumë konfidenciale dhe të klasifikuara. Pse? Sepse këto prova shkatërrojnë çështjen e tij!”, akuzoi manjati në një postim në rrjetin e tij “Truth”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos