Shpenzimet e turistëve në vend, mbi 1.5 miliardë euro, rekord në gjysmën e parë të vitit  

Nga A2 CNN
11 Shtator 2023, 14:31 | Ekonomi
Shpenzimet e turistëve në vend, mbi 1.5 miliardë euro, rekord

Turistët që vizituan Shqipërinë në harkun e muajve prill-qershor shpenzuan 930 milionë euro. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë të ardhurat nga turizmi në tremujorin e dytë të këtij viti janë më të lartat e shënuara ndonjëherë.

“Të ardhurat kryesore janë gjeneruar në vijën bregdetare dhe kjo nuk ka diskutim, por e veçanta këtë vit është edhe shifra prej rreth 500 mijë turistësh të huaj që zgjodhën agroturizmin ku edhe aty kanë shpenzuar shifra të konsiderueshme”, tha Flora Xhamani Baba, eksperte e turizmit.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, turistët kanë shpenzuar në vend mbi 1.5 miliardë euro. Kjo shifër është më e lartë se ajo e shënuar gjatë 2022-shit dhe gati 2-fish më shumë se 2019.

Megjithatë për ekspertë të turizmit, shifrat janë ende larg asaj që mund të arrijmë.

“Mali i Zi ka 1/3 e vijës sonë bregdetare dhe përfiton 2-fish më shumë të ardhura. Gabuam me promocionet e ofertës së lirë. Duhet të tërheqim turistin elitar”, shtoi Baba.

Në harkun e muajve janar-qershor në vend hynë gati 3.4 milionë të huaj, nga rreth 2.5 milionë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos