Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blendi Gonxhja, debatuan në lidhje me pensionet.
Sipas Shehit, duhet të shtohen 300-400 milionë për pensionistët që marrin më pak. Por, sipas ministrit, qeveria ka “trashëguar një skemë pensionesh e cila vinte me një gropë të madhe”.
Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:
Shehi: Rishpërndarja e buxhetit. Ju thoni kemi bërë kaq e aq. Unë ka vite që ju them të shtohen 300 milionë, edhe 400 për pensionistët e nivelit të ulët, ata që janë nën 15 000 lekë. Ato shtesa, ato çikërrimat për mua nuk vlejnë. Kjo që thoni ju, se më shumë se gjysma e buxhetit harxhohet për shtresat në nevojë, kështu është harxhuar gjithnjë Shqipëria. Madje, në kohët e vjetra ka qenë dhe 60% për çështjen sociale.
Gonxhja: Po është më shumë se gjysma e 10 miliardëve, janë më shumë para që rishpërndahen.
Shehi: Dëgjo se nuk e them për propagandë sepse ka shumë vite që e them. E dyta, keni bërë paketën fiskale që do ulen çmimet me uljen e TVSH-së. Nuk kanë për t’u ulur se gjysma e mallrave ushqimore janë të importuara në Shqipëri. Gjatë dy vjetëve të fundit është ulur euro gati 30%. S'janë ulur çmimet. Tregon që çmimet nuk reflektojnë. I njëjti fenomen do ndodhë edhe kur të hiqet 14% nga ajo TVSH-ja dhe pas 1-2 vitesh do tentoni ta ktheni prapë TVSH-në 20%. Çmimi ulet duke rritur prodhimin vendas, jo duke bërë këto manovra. Një buxhet, kur zmadhohet si ky, merr përsipër disa gjëra të guximshme që shkojnë në favor të ekonomisë, investime që shkojnë në favor të qytetarëve. 1/3 jemi bërë pensionistë në Shqipëri. Nëse i ngre atyre të vegjëlve, ke afektuar 20% të popullatës shqiptare. E pse s'u bë kjo sakrificë? Këta që janë sot, pas pesë vjetëve s'kanë për të qenë më. Kështu që, nuk e dhunojnë buxhetin këto vit pas viti. Po t'i hyjmë zë për zë pastaj, është tjetër histori.
Gonxhja: Ne kemi trashëguar, për arsye që nuk mund t'i shpjegoj në një emision si ky sot, një skemë pensionesh e cila vinte me një gropë të madhe. Gropa krijohej nga nevoja për të dhënë kaq para sot për pensionet që cakton skema që t'i japi. Nga kontributet e mbledhura, ke një fond i cili të jep një shumë e cila është më e vogël sesa shuma që ti do paguash pensione sot. Vit pas viti, edhe në kohën e zotit Shehu minister, kjo gropë ka qenë shumë e madhe, në nivelin gati 1 miliard euro. Kjo gropë ka ardhur duke u zvogëluar, për shkak se rriteshin kontributet, rriteshin pagat nga të gjitha qeveritë një pas një, dhe rriteshin të ardhurat në fond, pra në skemën e pensioneve, nga ato që qeveria bënte nga rritja e ekonomisë e tjerë, duke rritur pagat e njerëzve. Rritja e pagave është ilaçi numër një që shëron skemën e pensioneve. Po nuk investove, po nuk ke paga, nuk rrit dot skemën e pensioneve. Dhe skema e pensioneve për fat ka ardhur, sot që flasim, thuajse afër balancës. Unë e gjeta gati 200 milionë euro gropë. Çfarë do të thotë kjo? Çdo vit qeveria, përveçse duhet t'i jepte pensionet e pakënaqshme, të pamjaftueshme, që i cakton kontributi që ke dhënë, duhet të mbushte skemën edhe me 600 milionë, 500 milionë, 300 milionë, 400 milionë, 200 milionë vit pas viti për të bërë që ato pensione të paguheshin. Pasi ka arritur te niveli që t'i paguash këto pensione që janë të pakënaqshme, qeveria duhet të jepte 100 milionë, 200 milionë, 300 milionë sipër t'i paguante bonuse, plotësime… Pra, ndërkohë që flasim, qeveria vit pas viti jep para dhe e subvencionon skemën.
Shehi: Gjithmonë ka dhënë!
Gonxhja: Dakord pra, por që njerëzit ta kuptojnë. Sepse mua më thonë “është rritur ekonomia, po ku janë paratë? Pse nuk janë rritur kontributet?” Kontributet nuk i rrit ekonomia që rritet. Ekonomia mund t'i japi qeverisë pak lekë më shumë që të plotësojë një nevojë më shumë për Vit të Ri, një kompensim.
Shehi: Ju jeni duke pritur që ata t’i marrë Zoti dhe të dalin prej skemës. Kaq! (A2 Televizion)