Nisma e ish-kancelares Merkel si “ngushëllim” pas “Ballkanit të hapur”

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 13:20 | Ekonomi
Nisma e ish-kancelares Merkel si “ngushëllim” pas

Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Në mbi tri vite bashkëpunimin vetëm me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria përfitoi pak nga Ballkani i Hapur, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë.

Vendi mbajti pozicion të brishtë si në tregtinë e jashtme, ashtu edhe në drejtim të thithjes së investimeve të huaja. Sot sytë janë hedhur te Procesi i Berlinit. Por, çfarë është nisma e pagëzuar që në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel?

Mikel Qafa, ekspert për ekonominë, shprehet për A2 CNN: “Procesin e Berlinit unë e konsideroj si një program i cili brenda ka disa projekte të tjera. Ballkani i Hapur për aq sa zgjati i shërbeu bashkëpunimit ndërrajonal, ndonëse më pak se pritshmëritë”.

Por, çfarë i ndan e ku bashkohen Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit? Pse nisma që do të dirigjohet nga Komisioni Europian, me kujdesin e veçantë të Kancelarisë Gjermane, po shihet me kaq optimizëm?
Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, thekson: “Sepse aty, ndryshe nga Ballkani i Hapur, janë të gjashta vendet e rajonit. Pra, kemi një bashkëpunim të plotë rajonal”.

“Dhe procesi i Berlinit pritet të sjellë përfitime ekonomike me rregulla loje të kontrolluara, ku i forti nuk i mbivendoset më të dobëtit”, shton Qafa.

Teksa parashikojnë përfitime të konsiderueshme nga Procesi i Berlinit, ekspertë të ekonomisë vlerësojnë si tejet të rëndësishëm vënien në zbatim edhe të marrëveshjeve të firmosura në kuadër të Ballkanit të hapur.

“Marrëveshjet e firmosura në kuadër të Ballkanit të Hapur ishin interesante. Nëse ato zhvillohen tashmë në procesin e Berlinit, do të kemi shumë përfitime”, deklaroi Çoçoli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos