
Fituesja e kompeticionit Miss Zimbabve është kthyer në një çështje me polemika dhe që ka nxitur protesta në shtetin afrikan.
Çuditërisht, kurora e vajzës më të bukur në konkurs është fituar nga një vajzë e bardhë me flokët bionde, e cila do të përfaqësojë shtetin afrikan edhe në Miss Universe, më 18 nëntor në El Salvador.
Brooke Bruk-Jackson nuk është fituesja që prisnin shumica e banorëve të shtetit afrikan, ku pothuajse e gjithë popullsia është me ngjyrë.
Vajza 21-vjeçare vjen nga Harare, kryeqyteti i vendit, por fakti që ajo është e bardhë dhe jo me ngjyrë ka bërë që në Zimbabve të shpërthejnë kritikat kundër saj dhe organizatorëve të konkursit të bukurisë.
“Zemra ime është plot gëzim dhe mirënjohje. E fitova këtë kurorë për vendin tonë të bukur, për t’i shërbyer popullit tonë dhe për të qenë mishërim i veçantisë së Zimbabve.”
Këto ishin fjalët e para të modeles pasi fitoi kurorën e më të bukurës së Zimbabeve, teksa ishte e vetmja vajzë e bardhë në pasarelë.
Por ajo nuk e mendonte se do të goditej nga një “ortek” kritikash në rrjetet sociale, të tipit: “Stërgjyshërit e mi do të rrotulloheshin në varr”.
“Shumë e bardhë për të përfaqësuar një komb me ngjyrë të zezë, ajo nuk na identifikon, ajo është e huaj“, komentoi një tjetër.
Por ka edhe nga ata që kanë dalë në mbrojtje të 21-vjeçares.
“Nëse ajo nuk lejohet të jetë Miss Zimbabve, atëherë Miss-i i çdo kombi duhet të duket si një vendas etnik atje“, shkroi ish-kikboksieri i famshëm Tristan Tate në rrjetet sociale.
Edhe vetë vajza reagoi duke komentuar në postimin e një prej kritikëve.
“Ngjyra e lëkurës nuk duhet të përcaktojë një person“, iu përgjigj Brooke disa përdoruesve që shpërthyen kundër saj, ndërsa u detyrua të çaktivizojë komentet pas valës së ofendimeve dhe fyerjeve në drejtim të saj. (A2 Televizion)