Rama nga Kroacia: BE duhet ta dënojë Serbinë me masa konkrete

Nga A2 CNN
2 Tetor 2023, 14:08 | Kosova
Rama nga Kroacia: BE duhet ta dënojë Serbinë me masa konkrete

Kryeministri Rama dhe homologu i tij kroat Andrej Plenkoviç dënuan ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe “heroizimin” e tyre nga Beogradi, duke kërkuar nga BE dhe Perëndimi të marrin masa kundër Serbisë.

Gjatë vizitës zyrtare në Zagreb, Rama në një konferencë për median në Banski Dvori tha se agresioni i forcave paramilitare është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit. “Kemi një krim, vrasjen e një punonjësi policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha kryeministri shqiptar, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Europë.

I pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Rosalba Bejdo, se a duhet dënuar Serbia në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në mes të tetorit në Tiranë, kryeministri tha:

“I takon Komisionit Europian, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, i takon NATO-s përmes KFOR-it që të marrin të gjitha masat dhe të forcojnë me fjalë dhe me vepra qëndrimin se çka ndodhi është e dënueshme, nuk duhet përsëritet dhe duhet patjetër të bëhet çmos që të parandalohet që të ndodhë përsëri, largqoftë edhe më keq sesa kaq. Prandaj ne kemi mbajtur atë qëndrim që kemi mbajtur dhe gjatë gjithë kohës jemi duke diskutuar me aleatët dhe partnerët, kemi folur edhe me kryeministrin, për domosdoshmërinë e një qëndrimi të unifikuar në raport me atë që ndodhi dhe e përsëris, jo thjesht në fjalë, por edhe në fakte”.

Nga ana e tij kryeministri kroat Plenkoviç theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.

Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos