Serbia vazhdon që të mbrojë agresorët e sulmit të armatosur në veriun e Kosovës. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, pretendon se njëri prej sulmuesve është vrarë nga policia pasi ishte plagosur.
Ai tha se patologët serbë kanë analizuar fotografinë e Bojan Mijailoviçit të vrarë, duke pretenduar se është ekzekutuar me snajper kur ka qenë i shtrirë në tokë.
“Në përgjigjen e EULEX-it për Beogradin, thonë se autopsia është bërë më 26 shtator, dhe në certifikatën e vdekjes thuhet se është bërë më 25 shtator. Dikush këtu gënjen rëndë”, tha ai duke pretenduar se Policia e Kosovës nuk lejoi përfshirjen e EULEX-it në këtë ngjarje për të falsifikuar provat.
Më tej, ai kërkoi nga KFOR-i dhe EULEX-i që të jenë objektivë dhe neutralë sa i përket sulmit të 24 shtatorit. Petkoviç përsëriti akuzat e zakonshme të Serbisë duke thënë se “terrori i Albin Kurtit ndaj popullit serb në Kosovë po shtohet”, ndërsa kërkoi reagim nga perëndimi dhe organizatat ndërkombëtare, siç tha ai për të dënuar Kosovën. (A2 Televizion)
