Gjykata e Posaçme pranoi pyetjen e të gjithë dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, përfshi pyetjen e vetë të pandehurit, nëse jep pelqim si edhe të pandehurve të tjerë të gjykimit të parë të dosjes “Gërdeci”.
I njëjti qëndrim nuk u mbajt për 90 dëshmitarët e kërkuar nga avokatët e ish-ministrit. Gjyqtarja Irena Gjoka pranoi pjesërisht listën e dëshmitarëve, duke refuzuar të gjithë dëshmitarët e huaj, mes të cilëve ushtarakë të lartë të NATO-s, ish-ministra të brendshëm të disa vendeve europiane, si edhe ish-ministra të qeverisë shqiptare.
Por mbrojtësit ligjorë të Mediut nuk morën përgjigje për disa prova të tjera të kërkuara.
“Në listën e dëshmitarëve kemi një arsye madhore për të cilën i kemi thirrur këta dëshmitarë dhe duhet të na jepet e drejta për tu thirrur të gjithë subjektet për tu pyetur para gjykatës. Mbi aktet që gjykata vendosi të vendosë, do duhej të kishte marrë këtë vendim sot. Arsyet përse kemi kërkuar ri inspektim, gjykata do duhej të kishte një arsyetim refuzues. Këtë nuk e bëri që për ne është një moment i veçantë i një subjektivizmi i pamerituar në dëmin tonë dhe të padenjë për gjyqësorin. Gjykata është e detyruar ligjërisht të shprehet menjëherë me pranim ose rrëzim. Realizoi një gjë që ligji nuk ia lejon. Të gjithë kanë pranuar të vijnë si dëshmitarë. Roli politik i ministrit s’ka të bëjë me gjithësia i atribuohet atij nga pikëpamja penale”, tha avokati Visha.
Mes dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK, të pranuar nga gjykata, janë edhe emrat e ish-ministrit të drejtësisë, Aldo Bumçi dhe i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, Sali Berisha. (A2 Televizion)
