Pas bumit të turistëve gjatë sezonit veror, duket se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj edhe për shkak të historisë së saj. Edhe në muajin tetor, Tirana por dhe qytetet e tjera numërojnë me dhjetëra turistë nëpër sheshet kryesore.
Turizmi jashtë sezonit po tërheq më së shumti moshat e treta, të cilat në grupe të organizuara vizitojnë monumente të ndryshme historike.
“U njoftuam nga zyra turistike në vendin tonë dhe kështu vendosëm të vizitonim Shqipërinë së bashku me bashkëshorten dhe këtë grup. E vizitojmë për shkak të historisë që mbart dhe natyrës së bukur siç e shohim”, shprehet një turist.
“Është hera e parë për mua këtu dhe jam e surprizuar. Kam qenë më parë në Sofje, Beograd… Janë vende që mbështeten me para nga BE por përsëri nuk janë kaq të bukura sa Shqipëria. Shqiptarët ndodhen kudo. Unë kam fqinj shqiptarë pranë shtëpisë sime dhe ata na sugjeruan të vinim këtu”, thotë një tjetër.
Janë grupet e organizuara nga shtete të ndryshme sipas operatorëve turistikë që interesohen për të vizituar vendin tonë edhe në këtë periudhë të vitit.
“Kemi një ndërhyrje të turizmit. Të rinjtë vijnë në mënyrë individuale ndërsa të moshuarit të organizuar. Historia është ajo që i tërheq më shumë. Kemi një ndërthurje të turistëve, jo vetëm besnikët që vijnë për pjesën e plazhit por kemi dhe grupe. Kanë ardhur turistë qoftë dhe nga Amerika Latine për të vizituar Shqipërinë”.
Të mbetur të kënaqur, të shumtë janë dhe ata turistë, të cilët kthehen për të disatën herë. “Është hera e tretë që vij këtu. Është një vend i madh me shumë histori por dhe shumë interesant. Shqipëria është e bukur”, thotë një prej tyre.
“Ne prisnim për një mbyllje të sezonit me ikjen e shtatorit. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Globalizimi ka sjellë me ngrohjen e kohës dhe shtyrjen e sezoneve. Tani është periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë për të ndenjur në plazh, por dhe në pika turistike. Grupet janë shtyrë jo “fully booked”, por mund të themi që strukturat akodomuese raporotojnë se nuk kanë vende. Kështu që dhe tetori është një muaj i mirë”, shprehet Jetmira Hoxha, operatore turistike.
Vitin e shkuar gjatë tetorit erdhën mbi 750 mijë turistë të huaj, duke vijuar ecurinë rritëse të vitet e fundit. Sipas operatorëve turistikë edhe në muajt në vijim të huajt janë të interesuar për të vizituar Shqipërinë. (A2 Televizion)
