Kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer, tha se industritë e armëve duhet të përshpejtojnë prodhimin pasi “po fillon të duket fundi i fuçisë”. Duke folur në forumin e sigurisë në Varshavë, ai theksoi rëndësinë e shtimit të aftësive luftuese të aleancës.
“Në thelb ne kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga niveli politik sepse nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Janë gjithashtu veprimet e shteteve që na çojnë në forca më të gatshme dhe aftësi që na duhen. Dhe nëse e shihni në të vërtetë këtë, në shtatë vitet para luftës, buxhetet u rritën, por industria nuk e shtoi kapacitetin e prodhimit. Dhe kjo ka çuar në çmime më të larta. Dhe kjo në fakt është përkeqësuar nga fakti që ne tani i japim Ukrainës sisteme armësh dhe municione, por nuk i kemi magazinat plot. Kemi nisur që të japim armatime nga magazina gjysmë bosh apo me rezerva të ulëta në Europë, prandaj tani po fillon të duket fundi i fuçisë. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë që industria të përshpejtojë prodhimin në një ritëm shumë të lartë dhe na duhen sasi të mëdha”.
Rob Bauer, Shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s (A2 Televizion)
