Opozita kritikon kryeministrin, Kurti: Qeveria vazhdon mandatin edhe pa na i votuar ju ujditë

Nga A2 CNN
5 Tetor 2023, 14:15 | Kosova
Opozita kritikon kryeministrin, Kurti: Qeveria vazhdon mandatin edhe pa na i

“Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.” Ishte kjo përgjigjja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj thirrjeve të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai shtoi se ngërçi i krijuar nga PDK dhe AAK në Kuvend nuk e shqetëson, por nënvizoi se nga mungesa e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, populli po humbet projekte dhe financime me vlerë 360 milionë euro.

“Me këtë mosvotim nga opozita humbin qytetarët sepse projektet nuk bëhen, sepse humbin grantet dhe kreditë e buta e në vendin e tyre duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve dhe të marrim kredi me norma shumë të larta e të cilat në fund prapë duhet t’i paguajnë qytetarët”, u shpreh Kurti.

Ky qëndrim nxiti replika të ashpra të opozitës.

“Këtë shtet nëse e ka bërë të duket joserioz dikush me partnerët ndërkombëtar jeni ju personalisht. Nuk ka asnjë përgjegjësi opozita për faktin se ne jemi nën masa ndëshkuese sanksionuese nga Bashkimi Evropian, por edhe nga SHBA-ja. Jeni ju personalisht dhe qeveria juaj”, tha kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

“Një marrëveshje ndërkombëtare nuk e votojmë dhe ajo është në disfavor të buxhetit të Republikës së Kosovës. Andaj vazhdoni me sfilata, vazhdoni me populizëm dhe demagogji, por kjo nuk iu bën nder”, u shpreh Armend Zemaj, deputet i LDK-së.

“A po na shihni neve si opozitë veç për vota kur ju nevojitet qeverisë. Rezolutën paraprake për Policinë e Kosovës në situatën që gjendet Kosova dhe policët që po kërkojnë përkrahje, ju nuk e votuat. Atëherë për çka po e akuzoni opozitën dhe kjo është turp”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.

Gjatë seancës në kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga vendet mike në Ballkanin Perëndimor që të ndalin bashkëpunimin me Serbinë, shtet të cilin e akuzon si sponsor të terroristëve me synimin e qartë për destabilizimin e rajonit.

Bashkësia ndërkombëtare të marrë masa sanksionuese ndaj Serbisë duke marrë parasysh se ky shtet strehon dhe sponsorizon terroristë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos