Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Angelo Ristuccia, në konferencën e largimit nga Kosova, bëri bilancin e mandatit të tij. Shefi i misionit paqeruajtës bëri me dije se po vijnë dhe trupa të tjera shtesë për shkak të vlerësimit se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet lehtë.
Ristuccia tha se ngjarjet që kanë ndodhur në veri, me barrikadat, sulmet e dhunshme ndaj KFOR-it, rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës dhe agresionin e 24 shtatorit, kanë kërkuar përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur qetësi. Gjithashtu sqaroi njëherë e mirë se si funksionon garantimi i sigurisë në veri.
“KFOR-i vepron sipas mandatit që ka. Ne do të jemi aty që të planifikojmë dhe ndihmojnë për çfarëdo që nevojitet. Roli i Policisë nuk mund të zëvendësohet sepse KFOR nuk ka të drejta për të vepruar mbi çështjet ligjore. Kemi Policinë, EULEX-in dhe KFOR-in që veprojnë si përgjegjës të situatës, përkatësisht si forcën e parë, e dytë dhe e tretë reaguese”, tha Angelo Michele Ristuccia, Komandant i KFOR.
Ai konfirmoi se KFOR-i po heton lidhur me sulmin e armatosur në Basnjkë të Kosovës, ndërsa bëri me dije se duke marrë në konsideratë sasinë dhe cilësinë e armatimeve të sekuestruara, qëllimi i agresorëve “sigurisht që ka qenë destabilizimi”.
Ristuccia më tej u bëri apel palëve në Prishtinë dhe Beograd që të rikthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, në mënyrë që të gjenden zgjidhje për ruajtjen e paqes. Gjeneralmajorin Italian në krye të misionit paqeruajtës KFOR e zëvendëson gjeneralmajori turk Ozkan Ulutas. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   