Rusia po i kthen gjithnjë e më shumë sytë nga Kosova, me një mbështetje të madhe të ofruar për Serbinë. Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov, publikoi një opinion të gjatë, ku nuk munguan sulmet dhe akuzat ndaj perëndimit dhe Bashkimit Europian se po vepron njësoj si me marrëveshjen e Minskut edhe për Asociacionin, duke mos detyruar zbatimin e tyre. Kryediplomati rus shkruan se fati i ujdive është i njëjtë, po ashtu edhe rezultati, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për të njëjtin pretekst me të cilin Rusia nisi një luftë ndaj Ukrainës.
“Përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës në këtë rajon serb është një shqetësim i thellë. Furnizimi me armatim i NATO-s për kosovarët dhe ndihma për ta në krijimin e një ushtrie, shkelin rëndë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E gjithë bota e sheh se si historia e trishtë e marrëveshjeve të Minskut për Ukrainën, e cila parashikonte një status të veçantë për republikat e Donbasit dhe që Kievi e sabotoi hapur me mbështetjen e Perëndimit, po përsëritet në Ballkan”, tha Lavrov.
Versioni Ballkanik i Russia Today, një media afër Kremlinit, me seli në Beograd, raporton se Ukraina po bëhet gati të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë vlerësim e bazon në deklaratën e kreut të Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, njëkohësisht deputet i partisë së Zelenskit në pushtet, Oleksandr Merezhko në Asamblenë e Këshillit të Europës, ku u shpreh: “Unë nuk besoj se z. Aleksandër Vuçiç ka ndonjë iluzion në lidhje me mundësinë për të rivendosur kontrollin mbi Kosovën. Mua më duket më shumë si një lojë politike, ku z. Vuçiç po përdor çështjen e njohjes së Kosovës si levë në këtë lojë. Është interesante se Serbia de facto e ka njohur tashmë Kosovën. Do të ishte e përshtatshme dhe e drejtë të bëhej de jure”.
Ai shtoi se situata në Kosovë është vërtetë shqetësuese dhe se i kujton nisjen e pushtimit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014. Deputeti nuk përjashtoi që Rusia të qëndrojë pas përpjekjeve për të nisur një luftë të re në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. (A2 Televizion)