Momente frike dhe ankthi, raketat shpërthejnë mbi kokat e ekipit të A2 CNN

Nga A2 CNN
15 Tetor 2023, 06:49 | A2 CNN në Ukrainë
Momente frike dhe ankthi, raketat shpërthejnë mbi kokat e ekipit

Momente vërtetë drithëruese ka përjetuar ekipi i A2 CNN në Izrael, i cili ishte duke raportuar nga qyteti i Ashkelonit, shumë pranë Rripit të Gazës mbrëmjen e së shtunës.

Teksa gazetari Julian Kasapi ishte lidhur me studion e A2 CNN, një breshëri e madhe raketash është hedhur nga Rripi i Gazës në drejtim të qytetit izraelit.

Menjëherë, është aktivizuar dhe sistemi mbrojtës anti-raketë “Iron Dome” dhe shpërthimet kanë mbushur qiellin e natës, duke detyruar gazetarin Kasapi dhe kameramanin që e shoqëron  Erald Veshi të ulen për t’u mbrojtur.

Një nga raketat e Hamasit, i shpëtoi mbrojtjes izraelite dhe ra në pallatin ngjitur me godinën nga ku raportonte ekipi i A2 CNN.

Menjëherë në zonë u ndërprenë dritat, teksa aroma e luftës hyri drejtpërdrejt në familjen e çdo qytetari, jo vetëm izraelit e palestinez, por edhe shqiptar këtë herë.

Ekipet e shpëtimit në terren “skanuan” zonën mes dy ndërtesave ku raketa bëri impakt. Kontrolle pati edhe në banesa të tjera në Ashkelon, të cilat siç raportohet, u dëmtuan si pasojë e fragmenteve të raketës. Për fat të mirë, raportime për viktima nuk ka pasur.

Kujtojmë se Ashkeloni është një nga qytetet izraelite shumë pranë Rripit të Gazës, ku raketat e Hamasit në ditët e fundit kanë qenë të pafundme. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos