
Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa përmendur situatën në veri të Kosovës, duke i dalë në mbrojtje kësaj të fundit, por edhe luftën e nisur në Izrael.
Për kreun e qeverisë, këto 2 ngjarje, njëra shumë pranë rajonit dhe një tjetër pak më larg gjeografikisht, por që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në të ardhmen, janë tregues të qartë se si Bashkimi Europian nuk do duhet të krijojë një ndasi, mes vendeve anëtare dhe atyre që nuk janë pjesë e Unionit
Kreu i qeverisë, bëri me dije se është shumë e nevojshme krijimi i një llogoreje të përbashkët apo bashkimi në një çati të përbashkët, për t’i bërë ballë bashkë sfidave të së ardhmes.
“Ndihem vërtetë mirë që bashkohemi e që kujtojmë atë udhëtim të përbashkët që u nis 9 vjet më parë nga Angela Merkel në Berlin, e që qëndrojmë këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit politik europian. Disa prej jush janë nga BE e disa të tjerë përfshi edhe veten jemi nga E-ja, pa B-në.E megjithatë të gjithë ne besojmë fort këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët, një tryeze të bashkëndarë e madhe edhe të një llogoreje të përbashkët në këto kohëra sprove që duket se do të përkeqësohen përpara se të përmirësohen.
Një luftë në pragun e Europës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet, na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejt e shumë më ndryshe sesa ç’e kemi parashikuar shumica prej nesh.
Ka një sulm shkatërrues kundër Izraelit që ka detyruar një tjetër komb demokratik që të vetëmbrohet. Ndërkohë që jemi solidarë me Izraelin, përhapja e tmerrshme e urrejtjes dëshmon dhe një herë që pikëpamje të ndryshme për botën po krijojnë ndasi midis e përreth komunitetit tonë demokratik.
Një pyetje e ngutshme të cilën e mendoj gjithmonë është sesi po reagojmë ndaj kësaj skene që zhvillohet përtej kufijve tanë. Ndërkohë që, ne jemi të bashkuar kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë, a jemi duke parashikuar, a po përgatisim një përgjigje ndaj sfidave politike me të cilat përballet komuniteti ynë?
Ka shumë sfida po për të gjithë ata ne këtu që përfaqësojmë Europën pa B-në, sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme midis anëtareve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së.
Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë, sfida me të cilat me të cilat përballen vendet jo anëtare të BE-së po intensifikohen krahasuar me homologët e tyre të BE-së. Ndërkohë që ju të gjithë jeni ndërgjegjshëm për këtë, unë nuk do drejtoj gishtin ndaj askujt apo do të ankohem këtu, por dua të ngre disa pikëpyetje. Duke pasur parasysh dinamikat në ndryshim të shpejtë në botë, a mund të përballojmë këto ndasi midis vendeve të BE-së dhe jo të BE-së siç mund të bënim 9 vjet më parë kur nisi Procesi i Berlinit”, tha Rama.
(A2 Televizion)