Dokumentar për Sir Noel Malcolm, kthehet në Prishtinë historiani që zgjoi Perëndimin për Kosovën

Nga A2 CNN
20 Tetor 2023, 19:53 | Kosova
Dokumentar për Sir Noel Malcolm, kthehet në Prishtinë historiani

E gjithë salla në këmbë. Ndodh rallë në ambientet e një biblioteke që holli të jehojë me duartrokitjet për kontributin që përcjell një botim. Por, kështu ka ndodhur teksa në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka hyrë Sir Noel Malcolm, eruditi, historiani e studiuesi që ka rrëfyer një histori të shkurtër të Kosovës.

Ngjarja që i bëri bashkë shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë ishte dokumentari i realizuar nga ish-ambasadori Mal Berisha, premiera e të cilit u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Dokumentari është krijuar si një mirënjohje për kontributin e Sir Noel Malcolm në njohjen e historisë së Kosovës, e jo pak si ndikuese në fatin e mëvonshëm.

Një fotografi e realizuar gjatë luftës në Kosovë e vërteton më së miri këtë. Sir Noel Malcolm është erudit, poliglot, historian, studiues që njeh më shumë se 20 gjuhë të huaja. Fillimisht spikati si gazetar në pasqyrimin e situatës në ish-Jugosllavi, aty ku ndodhën dhe konfliktet e përgjakshme. Pas historisë së shkurtër për Bosnjën, shkroi librin “Kosova, një histori e shkurtër”. “The New York Times” e quajti si udhëzuesin më të mirë për hapat që duhen marrë ndaj një katastrofe fatale. Përveç këtij libri dhe “Tre agjentët perandorakë”, Malcolm ka shkruar edhe studimin “Historia e shqiptarëve, rebelët, besimtarët, të mbijetuarit”.

Në botimet e tij ai vë në dukje aftësitë drejtuese të shqiptarëve në elitën veneciane dhe në atë osmane, e deri në perceptimin e sotëm të politikës që po zhvillohet në Ballkan. Një Sir anglez, profesor në universitetet më të mira, dekoruar edhe nga presidentët e Kosovës dhe të Shqipërisë, Ibrahim Rugova dhe Alfred Moisiu, historiani ngriti në këmbë sërish të pranishmit në Kosovë, që e vlerësojnë autorin si një ndër më të mirët për ngjarjet që shqetësojnë Ballkanin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos