“Armët kineze fuqizuan ushtrinë tonë”, Vuçeviç: Duam të mbrojmë pavarësinë e vendit!

Nga A2 CNN
23 Tetor 2023, 13:56 | Ballkani
“Armët kineze fuqizuan ushtrinë tonë”,

Me aleatin e ngushtë, Rusinë, në një luftë të cilës nuk po i duket fundi, Serbia nxiton të shfrytëzojë një tjetër vend mik, për zgjerimin e arsenalit ushtarak në kohë tensionesh rajonale.

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç, tha për median e kontrolluar nga shteti, Global Times, se pajisjet ushtarake kineze kishin fuqizuar ndjeshëm forcat e armatosura të Serbisë. Ai veçoi kryesisht sisteme të mbrojtjes ajrore FK-3 dhe dronët CH-95 dhe CH-92A.

“Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak, atë ekonomik dhe investime të shumta që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë.”

Vuçeviç u kujdes të theksonte se përpjekjet për të pajisur dhe modernizuar forcat e armatosura lidheshin me mbrojtjen e vendit. Ministri tha se Serbia do të përmirësonte aftësitë për të mbrojtur pavarësinë e saj, por pa specifikuar nëse do të kërkonte më shumë pajisje ushtarake kineze. 

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për bashkëpunim më të madh strategjik me atë që e quan “mikun e çeliktë”, Serbinë, kur u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Beogradi ekspozoi raketat e prodhuara në kinë, tokë-ajër bashkë me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe perëndimi në prill të vitit të kaluar. Zgjerimi i arsenalit vjen teksa tensionet me Kosovën kanë arritur majat, gjatë muajve të fundit.

Si shtetet e bashkuara ashtu edhe Rusia, që tradicionalisht mbështet Beogradin, kanë thënë se po e monitorojnë situatën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos