“Propozim modern për asociacionin”, Kurti dhe Vuçiç të enjten në Bruksel, takohen me liderët europianë

Nga A2 CNN
25 Tetor 2023, 12:44 | Kosova
“Propozim modern për asociacionin”, Kurti dhe

Bashkimi Europian ka paraqitur një propozim modern për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjata vizitave të 5 diplomatëve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd gjatë fundjavës. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi gjithashtu se kanë ftuar në Bruksel Kurtin dhe Vuçiç të enjten më 26 tetor, kur mbahet edhe samiti i bllokut.

BE-ja pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e marrëdhënieve.

Diskutimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas burimeve të cituara nga Radio Evropa e Lirë, plani është që në kuadër të samitit të BE-së, Kurti dhe Vuçiç të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell.

Stano deklaroi se priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos