
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi paraditen e së martës se një 49-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa ishte i prekur me koronavirus.
Sipas Ministrisë, 49-vjeçari ndodhej i shtruar në spitalin infektiv prej 13 ditësh. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor të spitalit, 49-vjeçari nuk arriti të mbijetojë. Ai vuante nga diabeti mellitus dhe ishte prej 10 ditësh në terapi intensive.
Lajm i mirë është se 10 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetizoluar) pas dy testeve të kryera. Por, ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Deri të martën, në Shqipëri janë konfirmuar 123 persona të prekur me Covid-19. (A2 Televizion)