
Nuk kanë kaluar ende 4 muaj që kur Kina raportoi rastet e para me koronavirusin atëherë misterioz, dhe bota qan mbi 200 mijë viktima.
Bilanci tragjik konfirmohet nga të dhënat e universitetit John Hopkins, sipas të cilit, Covid-19 ka infektuar deri më tani gati 2.9 milion njerëz rreth globit. Edhe Shtetet e Bashkuara, që kryesojnë listën e vendeve më të prekura, raportojnë shifra të trishta prej më shumë se 53 mijë të vdekurish e gati 940 mijë raste. Virusi pandemik është përhapur në mbi 210 vende dhe 5 shtete i kanë tejkaluar 20 mijë vdekjet; SHBA, Italia, Spanja, Franca dhe më e fundit Britania e Madhe. Sekretari i Punëve të Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar e cilësoi këtë, si një shifër tragjikë e të tmerrshme dhe tha se i gjithë vendi është në zi.
Bilanci në vend pritet të jetë më i lartë, pasi në të dhënat e raportuara çdo ditë përfshihen vetëm vdekjet e shënuar në spitale, e jo ato në qendrat për të moshuar. Në Francë, ku pjesë e statistikave janë edhe viktimat jashtë spitaleve, të shtunën u raportuan 369 jetë të humbura.
Që prej fillimit të marsit në këtë shtet, koronavirusi ka shkaktuar 22 mijë e 614 vdekje, por autoritetet thonë se vdekshmëria në spitale po bie dhe numri i pacientëve të shtruar në terapi intensive ra për të 17 ditë radhazi. Por ndërsa kriza shëndetësore në Evropën Perëndimore po përmirësohet, OBSH paralajmëron se në vendet e Afrikës, Evropës Lindore dhe Amerikës Qendrore, pandemia është ende në fillimet e saj. (A2 Televizion)