Një dorë ul, tjetra rrit! Lehtësim për 54 ushqime, taksa më të larta për të tjerat

Nga Marjo Brakaj
28 Tetor 2026, 15:28 | Ekonomi

Një dorë jep, tjetra merr... për herë të parë në 30 vjet qeveria do të ulë në 6 për qind Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për 54 produkte ushqimore, por lista do të shtohet. Qeveria pret të mbledhë 112 milionë euro më tepër nga rritja me 1 për qind e TVSH-së së përgjithshme.

“Paratë nga diku do të dalin. Po mbrohen ata që kanë më pak, por duhet parë edhe efekti që do të ketë kjo lëvizje te pjesa tjetër e konsumit. Në fund, rëndësi ka se si do të reflektohen këto ndryshime në çmimet që paguajnë qytetarët dhe në fuqinë e tyre blerëse”, tha Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë.

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të hiqet edhe taksa e qarkullimit që pas aplikimit të TVSH-së ka një kosto prej 32.4 lekësh në çdo litër naftë e benzinë. Po nga ana tjetër, do të rritet taksa vjetore e automjeteve. Gjithashtu mbi makinat elektrike dhe ato me fuqi motorike të larta do të ketë më shumë taksa.

“Duhet parë nëse kjo ndërhyrje do të sjellë një lehtësim real për qytetarët apo thjesht do të zhvendosë barrën nga një taksë te tjetra. Sepse për familjet që përdorin automjetin çdo ditë, rëndësi ka kostoja e përgjithshme që paguajnë, jo vetëm heqja e një takse të veçantë”, u shpreh Çoçoli.

Individët që kanë paga mujore bruto mbi 200 mijë lekë pritet të lehtësohen nga barra e tatimit prej 23%, në bazë të të cilës tatoheshin sot pagat mbi këtë nivel. Në paketën e re fiskale parashikohet që pragu të rritet mbi 300 mijë lekë në muaj. Tatimi 23 për qind tashmë do të zbatohet mbi pagat bruto mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. Për pagat bruto mbi 700 mijë lekë vendoset një normë e re e lartë tatimi prej 30 për qind.

“Këtu kemi një ndryshim në mënyrën se si shpërndahet barra fiskale mes niveleve të ndryshme të të ardhurave. Duhet parë sa do të përfitojnë realisht punonjësit nga kjo skemë dhe nëse norma më e lartë për të ardhurat e mëdha do të ruajë ekuilibrin mes drejtësisë fiskale dhe nxitjes së punësimit të paguar mirë”, deklaroi Çoçoli.

Nga viti i ardhshëm do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale personat që kanë statusin e të verbrit dhe invalidët e punës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos