Ashtu sikurse paralajmëruar, ka nisur sot në orën 16:00 protesta në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në krye të protestës janë edhe familjarët e viktimës. Gazetarja e A2 CNN Leonora Kolukaj, raportoi për Ditarin me Pandi Gjatën se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Donika gërvalla, pas rastit të Arlinda Zekajt, e cila edhe pse i ishte drejtuar organeve të drejtësisë, nuk mundi të merrte mbrojtjen e duhur, dhe fatkeqësisht humbi jetën. Autor i krimit dyshohet kunati i saj, i ciliu arratis pas ngjarjes, por u kap mbrëmjen e djeshme.

“Pa drejtësi nuk ka drejtësi”, “Shteti i ka duart me gjak” janë disa nga parullat e protestuesve të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku protestuesit po marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës. (A2 Televizion)