Falsifikoi akte noteriale për vite me radhë, Prokuroria Fier dërgon në gjyq noteren

Nga A2 CNN
28 Tetor 2026, 16:39 | Kronikë

Falsifikoi akte noteriale për vite me radhë, Prokuroria Fier

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq noteren A.H., e dyshuar për falsifikim të përsëritur të dokumenteve noteriale gjatë periudhës 2011–2020.

Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e pandehura akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, e kryer më shumë se një herë, sipas nenit 186, paragrafi i tretë, të Kodit Penal.

Nga hetimet për procedimin penal nr. 1050, të regjistruar në vitin 2019, dyshohet se noteria ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta të fundit autorë të dokumenteve. Në raste të tjera, ajo dyshohet se ka hartuar akte pa praninë e palëve, ndonëse kjo kërkohej për kryerjen e veprimeve noteriale.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, gjatë viteve 2011–2018, janë hartuar kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve rezultonin të lëshuara.

Sipas organit të akuzës, në një numër të konsiderueshëm rastesh dyshohet se është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet përkatëse pretendohet se janë hartuar në Fier nga e pandehura.

Ndërkohë, ndaj së njëjtës notere janë përfunduar hetimet edhe në kuadër të një tjetër procedimi penal, nr. 390/2023, ku ajo është marrë e pandehur për të njëjtën vepër penale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos