500 refugjatë “pushtojnë” ishullin Lesbos, 100 të tjerë në kapërcejnë në enklavën spanjolle në Afrikë

Nga A2 CNN
30 Gusht 2019, 22:34 | Bota

Kriza e emigrantëve në Europë duket se nuk do të mbarojë kurrë. Pamjet dramatike të qindra refugjatëve që kërkojnë të shkelin në tokën e Bashkimit Europian vazhdojnë të kapen çdo ditë. Të premten në mëngjes më shumë se 500 emigrantë mbërritën në ishullin grek Lesbos, pranë Turqisë, thuajse gjysma fëmijë.

Shumica e refugjatëve ishin afganë dhe sirianë. Prej tyre vetëm 200 u dërguan në qendrën e identifikimit, ndërsa pjesa tjetër u mbajt në kampin e ngritur pranë bregut nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sipas organizatës së Mjekëve pa Kufi, kjo ishte vala më e madhe e refugjatëve të mbërritur në ishull që prej vitit 2016, kur hyri në fuqi edhe marrëveshja mes Bashkimit Europian dhe Turqisë.

Në skajin tjetër të kontinentit 100 refugjatë të tjerë kapërcyen gardhin 6 metra të lartë që ndaj enklavën spanjolle Ceuta me Marokun. Shumica e tyre ishin afrikanë nga vendet poshtë Shkretëtirës së Saharasë, pjesa dërrmuese nga Guinea. Gjatë operacionit për kontrollin e tyre 12 policë spanjollë mbetën të plagosur.

Ceuta është vetëm 12,5 milje detare larg Spanjës kontinentale, e ndarë nga ngushtica e Gjibraltarit dhe së fundmi është bërë rruga e preferuar e refugjatëve. Vitin e kaluar, pasi Italia praktikisht mbylli kufijtë, 57 000 persona të paautorizuar mbërritën në vendin Iberik. Ndërsa në Greqi, ishulli Lesbos mbetet më i “preferuari”, me një rritje prej 44% të fluksit të refugjatëve krahasuar me një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos