
Gjykata e Posaçme u tërhoq në dhomë këshillimi në gjyqin në themel për kryebashkiakun e Tiranës dhe të pandehurit e tjerë. Shkak u bënë dinamikat në seancë me mungesën e prokurës së një prej avokatëve si dhe kërkesa e Veliajt dhe mbrojtjes së tij që kryebashkiaku të ishte i pranishëm në seancë. Procesi u shoqërua me debat mes palëve pasi gjykata lexoi letrën e Veliajt të dërguar nga paraburgimi i Fierit.
Erion Veliaj: Me vullnetin për të marrë pjesë në seancë por në pamundësi për shkak të këmbës së thyer. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush përcakton operacionin tim jashtë vullnetit tim. Unë nuk kërkoj as të bëj botoks, as të lyej flokët dhe as të zbardh dhëmbët, siç janë lejuar disa, por theksoj se nuk dua të paragjykoj dhe nuk kam asgjë as kundër këtyre kërkesave as vendimit për ti pranuar. Thjesht më lejoni të kryej operacionin në një spital pranë ortopedi të zgjedhur nga unë pranë familjes dhe fëmijëve të mi. Nuk pranoj të më fusin në një sallë operacioni dhe tia pranoj narkozën time mbi urdhërin e të njëjtit që urdhëroi transferimin tim.
Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën referuar deklaratës që sapo lexuat, ndonëse vullneti i tij ka qenë të vijë vetë në proces. Dje kërkova të takohem dhe të konsultohem me klientin, edhe për sa i takon qëndrimeve që do të mbanim. Duhet të diskutoja me ta disa elemente që të marrë konfirmimin e tij për mbrojtjen që kemi përgatitur, e kemi gati por ka dinamika që ndryshojnë dhe duhet ti konfirmoj. Siç e patë nuk u lejova sa u detyrova të thërras mediat që ta kem si provë. Kemi kërkuar nga ju që të shpreheni me një vendim urgjent sepse situata e tij shëndetësore është antinjerëzore dhe anti-humane. Është me qetësues, me dhimbje dhe paterica.
Ols Dado: Qëllimet janë të mësuara. Ne kemi informacionet tona mjekët nuk mendojnë kështu për pamundësinë e pjesëmarrjes në gjyq. Ne kërkojmë vijimin e seancës. Nuk ka prova për pretendimin e ngritur. Nëse do të kthejmë në debat gjyqësor çështjen ku duhet bërë operacioni, dakord.
Plarent Ndreca: nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet ti konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore.
Gjykata: E ka të pamundur të lëvizë Veliaj? Nuk lëviz fare?
Ndreca: Është me këmbë të thyer, lëviz me paterica gjithë kohës.
Prokurori i Ols Dado: Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë. Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore.
Prokurori Altin Dumani: Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca, që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025, akoma jemi... Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja.
(A2 Televizion)