Atentati i Fierit! Rëndohet bilanci, ndërron jetë edhe nipi i “Sel Çamit”

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
24 Nëntor 2026, 11:25 | Kronikë

Rëndohet bilanci i viktimave i atentatit të Fierit të ditës së hënë, ku mbeti i vrarë në oborrin e banesës së tij 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën si Sel Çami.

Në orët e para të mëngjesit të së martës ka ndërruar jetë edhe personi tjetër që mbeti i plagosur rëndë në këtë ngjarje, Jakup Hasani, nipi i viktimës, baba i dy fëmijëve.

Të dy kushërinjtë ndodheshin në oborrin e banesës së Selami Hasanit, kur persona ende të paidentifikuar nga policia kanë hapur zjarr, duke lënë të vdekur në vendngjarje 60-vjeçarin Selami Hasanin dhe plagosën rëndë Jakup Hasanin, i cili ndërroi jetë në spital, duke e çuar në dy numrin e viktimave të këtij atentati të mirëorganizuar.

Policia e Fierit menjëherë pas ngjarjes ngriti pika kontrolli, ndërsa u angazhuan edhe forca të policisë të qyteteve të tjera si Vlorës dhe Gjirokastrës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e atentatorëve.

Por deri më tani pa asnjë rezultat. Sipas të dhënave të para policore, atentatorët mendohet se kanë qenë tre persona që kanë lëvizur me një automjet ngjyrë të bardhë, tip Volvo, që më pas u gjet i djegur në afërsi të rrethrrotullimit të Pojanit, ku u gjetën edhe dy armë me të cilat dyshohet se është kryer vrasja e dyfishtë.

Kjo ngjarje dyshohet se ka pasur si motiv hakmarrjen ndaj Selami Hasanit, i cili në mars të vitit 2002 ka qenë një prej atentatorëve të një tjetër ngjarjeje të rëndë në qendër të Fierit, ku mbetën të vrarë dy persona, një prej të cilëve ishte Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja.

Për këtë ngjarje Hasani ishte dënuar me 25 vite burgim dhe kishte vetëm tre javë që ishte liruar nga burgu, kur e qëlluan në oborrin e banesës së bashku me nipin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos