
136 të infektuar të rinj dhe 6 humbje jete raporton Maqedonia e Veriut në 24 orët e fundit. Rastet e reja u regjistruan në Shkup, Shtip, Gostivar dhe Tetovë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se ka gjasa të aplikohen masa kufizuese për lëvizjen e qytetarëve, nëse nuk respektohen masat për mbajtje të maskës dhe për të ruajtur distancën sociale.
“Kini kujdes, kjo nuk do të aplikohet vetëm gjatë muajve të verës, por edhe gjatë vjeshtës, kur do të ketë më shumë njerëz brenda, ku si pasojë edhe e gripit sezonal do të kemi një numër shtesë të pacientëve që mund ta bëjnë problemin më të madh nga ç’është”, tha Felipçe.
Ndërkohë, në Malin e Zi u shënuan 57 raste të reja në 24 orët e fundit, nga 433 persona të testuar. Lajmin e konfirmon Instituti i Shëndetit Publik i vendit fqinj, sipas të cilit, gjatë ditës së diel u raportuan edhe tre humbje jete si pasojë e Covid-19. Mali i Zi kishte shpallur fitoren ndaj koronavirusit gjatë muajit maj duke mos regjistruar asnjë rast të ri për ditë me radhë, por kthimi i pandemisë ka bërë që në vend të shtohen masat parandaluese pas 14 viktimave të regjistruara që prej qershorit dhe 870 rasteve aktive me virus në vend. (A2 Televizion)