90-vjetori i LEGO, nga prodhues arkivolesh te “mbretërit” e lodrave

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2022, 11:43 | Lifestyle

Lego është një nga ato kompani ikonike që kanë përcjellë shoqërinë europiane dhe më pas globale në tranzicionin postmodern. Një ëndërr, për gjenerata fëmijësh që kanë shfrenuar fantazinë falë “tullave” plastike plot ngjyra, dhe që feston 90-vjetorin.

Por nuk kanë qenë gjithmonë plastike, por prej druri. Arsyeja shkon te gjeneza e kësaj kompanie që ka një vlerë më shumë se 9 miliardë dollarë dhe që historinë e saj e ka filluar më 1916 në Billund, një fshat danez që atëherë kishte 100 banorë.

Aty jetonte Ole Kirk Christiansen, një zdrukthëtar plot talent dhe vizion, besimtar që më parë kishte qenë edhe pastor i kishës luterane. 

Kërkesat e fshatit ishin të thjeshta, kështu që Ole krijonte nga trungjet që i vinin kryesisht dyer, shkallë dhe arkivole, nevojat bazike të një fshati të varfër.

Paradoksalisht, pika që ndryshoi historinë e tij ishte një event tragjik për Botën, “Depresioni i Madh” që përshiu vendet perëndimore në vitet ‘30, dhe që zhvlerësoi financat e gjysmës së Europës.

Puna pothuajse u zerua, në fshatin e Billund, kështu që me trungjet e mbetur, për të kaluar kohën, por edhe për t’i dhënë një shans kreativitetit të tij, Ole filloi të prodhojë lodra të ndryshme, më së shumti makina dhe traktorë.

Por ishte me prodhimin e rrotullames së lidhur me një fije spango që njihet botërisht si Yo-yo, që ai filloi të shihte biznesin te lodrat. Ajo lojë u kthye në trend jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit e tyre të stresuar nga ajo kohë varfërie dhe lufte.

Produktet e tij filluan të shiteshin në të gjithë Danimarkën, me emrin “LEGO”, fjalë që vjen nga Leg Godt, që në danisht do të thotë “Luaj mirë”.

Gjatë Luftës së Dytë, shitjet u shtuan ndjeshëm, por në vendin e tij të pushtuar nga Gjermania naziste, objektivi i tij primar ishte transporti i armëve për forcat partizane që i rezistonin pushtuesve, të fshehura në arkat e lodrave LEGO.   

Pas luftës, shitjet u rritën në mënyrë të pabesueshme, paradoksalisht pikërisht në Gjermani, edhe falë shpikje së “tullës” ikonike që në mungesë të lëndës drusore u zëvendësua me plastikën gjithmonë e më të ngjyrosur.  

Në vitet '70, shtëpizave dhe mjeteve që mund të krijoheshin me tullat magjike iu shtunë edhe figura personazhesh të plota, për të joshur edhe vajzat që e cilësonin më parë si një zbavitje “për djem”.  

Nga aty fillon një histori suksesesh ndërkombëtare, të arritura jo më nga themeluesi Ole, por tashmë nga djali Godtfred. Vijnë marrëveshjet me kompanitë e tjera, krijimet e bëra enkas me botën e Star Wars, deri te hyrja e teknologjisë në disa seri të avancuara që e ka shndërruar LEGO-n edhe në një hobi për të rritur kreativë.   (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/09/06/pandemia-ka-rrenuar-ekonomine-globale-por-ikona-e-vendit-me-te-lumtur-ne-bote-ka-fitime-marramendese/
https://a2news.com/2021/10/09/titaniku-lego-seti-me-i-madh-i-krijuar-ndonjehere/

A2 CNN Livestream

Latest Videos